Unë dhe Konsulenca – dy aspirata për të ardhmen e sigurtë të Kosovës

nga Pylljon Nura

Tani gjendem në periudhën tranzicionale nga përfundimi i studimeve universitare, tek kërkimi i një pune që përkon me drejtimin tim të studimeve. Unë kam studiuar shkenca politike meqë ra fjala. Kam pasur që në fillim ato idetë që do të bëhem një politikan i suksesshëm, i pakorruptuar, i ndershëm dhe i afërt me popullin tim. Mbase një ditë do të arrij qëllimin tim, por jo në këtë kohë.

Një nga botëkuptimet e mia rreth gjetjes së një punë, shtjellohet mes asaj që një individ mund të punojë në çfarëdo lloj pune dhe profesioni, derisa ajo çfarë ai bën është një punë me pasion dhe e cila i jep kënaqësi. Rrjedhimisht, nuk e kam kufizuar veten duke përkuar me drejtimin që kam studiuar, për të gjetur një punë konform këtij drejtimi. Të sfiduarit e vetes dhe të jesh gati për të mësuar gjëra të reja, nuk është gjithmonë një proces i lehtë dhe i shpejtë për të pasur sukses. Por ana pozitive e saj qëndron mbi një bazë të sigurtë të suksesit për të zhvilluar inovacionin, fituar aftësi të reja dhe të bësh një ndryshim pozitiv në shoqëri.

Duke folur për veten, momentalisht po zhvilloj një praktikë në një organizatë të quajtur Business Consultants Council. Si një rrjet i gjerë, ajo ofron shërbimet më të mira të konsulencës dhe këshillimit në biznes në Kosovë, me pretendime më të gjera edhe për konsolidim të imazhit në rajonin e Ballkanit. Direktivat ekonomike të kësaj organizate por edhe përgjithësisht, nuk kanë qenë më parë në itinerarin tim të punës vullnetare, praktikës ose punës, duke pasur parasysh një profilizim tjetër timin, më parë.

Jam marrë kryesisht me punë vullnetare në spektrin e shoqërisë civile me punën me të rinj, zhvillimin e kapaciteteve të tyre të lidershipit, avokimit për ndryshime në komunitet, zhvillimin e mendimit kritik dhe projeksioneve për menaxhim të projekteve me bazë sociale. Konsulenca dhe këshillimi në biznes kanë hyrë rishtas në eksperiencat e mia, si dy fusha që më kanë bërë të besoj se ato premtojnë shumë dhe se kanë krijuar bazën për zhvillimin e një strukture të fortë për ofrimin e këshillimit dhe shërbimeve të konsulencës për biznese vendore dhe ndërkombëtare. Por gjatë punës ditore këtu, kam përfituar një mundësi të orientimit në karrierë në fushën e konsulencës.

Ishte momenti i duhur të jetoj në një periudhë, kur shoqëria dhe vendi ynë i vogël Kosova, gëzon potenciale të mëdha për t’u zhvilluar në këtë drejtim. Konkretisht, organizata Business Consultants Council (BCC) po lobon dhe punon me hapa të sigurtë për njohjen e konsulencës si një profesion të vërtetë. Për definimin e këtij shërbimi që për një kohë shumë të gjatë është konsideruar si dytësor dhe në parim, nuk i ka marrë atributet që realisht i meriton. Edhe puna praktike në këtë organizatë, më ka mësuar dhe motivuar që të kontriboj në këtë drejtim, pasi ajo çfarë po tentohet të bëhet, është inovacion, histori dhe një profesion i ardhshëm për të gjitha studentët.

Shumë shpesh ankohemi që drejtimet e Fakultetit Ekonomik janë të lodhura në kuptimin e paaftësisë së ofrimit të diçkaje të re, projeksion të së ardhmes, premtuese për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës por edhe krijimin e kuadrove të reja në profesione specifike. Një nga rekomandimet mund të ishte, profilizimi i studimeve me bazë në menaxhim të konsulencës. Kjo do t’u jepte mundësi të rinjve që studiojnë në Kosovë por edhe jashtë kufijve, një bazë për ndërtimin e një karriere të fortë dhe atraktive dhe direktivën për forcimin e bizneseve dhe kompanive kosovare për ofrimin sa më të mirë të produkteve dhe shërbimeve. Këto elemente do të shkaktonin përhapjen e saj më gjerë, në shtetet e Bashkimit Evropian.

Shoqëria kosovare ende është në fazën post-konflikt pas luftërave dhe konflikteve të gjata në historinë e saj si ish-krahinë në shtetin e ish-Jugosllavisë. Luftërat, heqja e autonomisë së Kosovës (si krahinë), funksionimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor paralel në Kosovë, i kishin dëmtuar sektorët dhe fushëveprimet bazë të një vendi që aspironte të bëhej shtet. Në shumë procese dhe fusha vepruese të të bërit biznes, çdo gjë nevojitej që të niste nga e para: funksionalizimi i bizneseve, fushëveprimi i tyre përmes një infrastrukture të përshtatshme për zhvillim të biznesit dhe produkteve përkatëse dhe si faktor i rëndësishëm edhe zhvillimi i imazhit dhe reputacionit përmes menaxhimit të mirëfilltë duke përdorur konsulencën.

Sot, fundi i vitit 2017, një hap para fillimit të një viti tjetër për zhvillim të mundësive për ekonominë kosovare, gëzojmë një numër të madh të bizneseve në Kosovë, të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre me potencial shumë herë më të madh, sesa që ka qenë në fillim të viteve 2000. Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin që kemi. Thjesht duhet të kemi motivin e duhur për t’a bërë konsulencën, një model që është jashtëzakonisht konkret, duke ndërtuar paradispozita dhe dispozita që ajo të marrë një hov të madh të zhvillimit.

Error: a marker with the ID 1 does not exist!