KONSULENCA MENAXHERIALE SI FAKTOR PËRCAKTUES NË REALIZIMIN E PROJEKTEVE INVESTIVE NË KIVO

Business

Konsulenca në fushën e projekteve investive është një fushë e veçantë e konsulencës menaxheriale. Veçantia e kësaj fushe specifike të konsulencës qëndron në përfshirjen e konsulentit në një marrëdhënie afatgjate me klientin, me ç’rast besimi i ndërsjellë dhe transparenca reciproke është parakusht i intervenimit dhe përmbylljes të suksesshëm të detyrës. Konsulenca në projekte investive fillon duke kuptuar në përgjithësi qëllimet e investimit, kthimin e investimeve dhe afatin kohor të zbatimit të investimit. Si rezultat i kësaj dhe bazuar mbi analizat përkatëse të tregut ato teknologjike dhe financiare, ndërtohet plani detal i investimeve dhe alokohen resurset përkatëse. Puna e konsulentit nuk mbaron me kaq. Në fakt detyra e tij është që pas analizave përkatëse dhe pas vendimit për investime të monitoroj aktivisht investimin e klientit dhe të vazhdoj punën me klientin pasi që gjatë realizimit të investimeve shpesh ndodh që qëllimet e projektit ndryshojnë, rrjedhimisht prania e konsulentit është e nevojshme.

Në Kosovë, të rralla janë ndërmarrjet konsulente që kanë kapacitete të mjaftueshme për të ofruar këshillëdhënie të specializuar për projekte investive. Sidoqoftë njëra ndër ato padyshim është RECURA, e cila në pesë vitet e fundit të operimit ka ndërmjetësuar me sukses dhe mbështetur klientët e saj në gjenerimin e më shumë se 60 milion euro investime të drejtpërdrejta në ndërmarrjet e Kosovës. RECURA është ndërmarrje konsulente e përqëndruar në ofrimin e shërbimeve këshillëdhënëse në fushën e financave, menaxhimit të biznesit dhe projekteve investive. Duke qenë se përbëhet nga ekspertë të shkolluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA dhe më përvojë të gjatë lokale dhe ndërkombëtare, RECURA ofron këshillëdhënie specifike të bazuar në përvojë relevante dhe njohje të thellë të industrive përkatëse. Me mbi 150 projekte të zbatuara që nga themelimi në vitin 2010, RECURA shfaqet si pikë referuese e konsulencës në Kosovë, për sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik.

Pikërisht është RECURA që ka këshilluar për më shumë se tre vite ndërmarrësin dhe pronarin e ndërmarrjes VM3, z.Visar Ramajli në një ndër investimet më të sukseshme të kohëve të fundit në Kosovë. KIVO, është një investim i përbashkët në mes të partnerëve nga Holanda dhe ndërmarrjes VM3, në vlerë prej mbi 5 milion Euro dhe punësimin të rreth 60 punëtorëve në një ndër fabrikat më moderne në Kosovë që ndodhet në Komunën e Kaçanikut.

E gjitha filloi kur VM3 kishte vendosur diversifikimin e produkteve aktuale dhe synonte rritjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm. Në këtë kontekst ishte kontaktuar ndërmarrja konsulente RECURA per të analizuar mundësitë e zgjerimit të biznesit në fushën e printimit klasik (offset) dhe printimin e materialit fleksibil duke synuar tregun lokal dhe pjesërisht atë regjional. VM3, paraprikisht kishte hulumtuar tregun e konsulencës, por ishin njohurit e dëshmuara të RECURA-s besimi në ata dhe referencat në projektet e ngjajshme investive ato, të cilat kishin bindur VM3 për tu përcaktuar për RECURA-n.

Rrjedhimisht u bën analizat e tregut mbi të cilat u hartuan dy studime të fizibilitetit. Përderisa rezultatet e studimit të parë tregonin se shtypi klasik nuk ka ndonjë arsyeshmëri të madhe ekonomike ndërsa vlera e investimit ishte e madhe, studimi i dytë lidhur më shtypin fleksibil dëshmonte një rentabilitet shumë të mirë. Këto rezultate ishin të mjaftueshme për VM3 që të hiqte dorë nga shtypi klasik dhe të përqendrohej në hartimin e planit detal të biznesit lidhur më printimin e materialeve fleksibile. Pas përfundimit të planit të biznesit nga ana e RECURA-s, bashkëpunimi vazhdoj në gjetjen e investitorëve potencial. Dhe në fakt ishin pikërisht përgaditjet paraprake ato që siguruan së pari çasje tek investitorët potencial dhe marrëveshje konkrete lidhur me investimin e përbashkët.

Në fakt plani detal i biznesit dhe analiza e thukt e tregut krijuan përshtypjen tek investitorët e huaj se bëhet fjalë për një ndërmarrës serioz siç është Visar Ramajli nga Kosova, më të cilën mund të negociohet për investime të përbashkëta të huaja. Këtë specifikisht e konfirmon edhe z.Ramajli, i cili konstaton se pa këshillëdhënien e RECURA-s në hartimin e këtyre dy dokumentave do të ishte e pamundur që të bindej partneri i jashtëm për të investuar. Në momentin kur është identifikuar partneri strategjik janë hapur mundësi të reja të paparashikuara më parë. U siguruan tregje në BE, vështirë të depërtueshme në mungesë të partnerëve strategjik. Për më tepër plani i biznesit fillestar i hartuar nga RECURA targetonte tregun lokal dhe regjional, ndërsa me gjetjen e partnerit strategjik lindi nevoja për analiza shtesë të tregjeve të reja dhe plan të modifikuar të biznesit. Është dashur edhe rreth një vit analiza shtesë para se të fillohet me investimin konkret dhe hapjen e fabrikës.

KIVO sot punëson mbi 70 punëtorë dhe ka qarkullim mbi 7 milion euro, duke eksportuar të gjithë produktin në Holandë, Belgjikë dhe Gjermani. Si e tillë padyshim që mbetet një ndër investimet e përbashkëta më të suksesshme, kohëve të fundit, në një ndërmarrje të mesme në Kosovë.

Rasti i bashkëpunimit në mes RECURA dhe KIVO është shembull i jashtëzakonshëmi një qëllimi paraprakisht të definuar mirë, fleksibilitetit në planifikim dhe analizave profesionale. E gjithë kjo ka rezultuar në një saktësi shumë të madhe të planifikimit dhe efikasitet të lartë të investimeve. Kostot e planifikuara të operimit janë vërtetuar që janë 95% të sakta, ndërsa janë realizuar skenarët optimist të shitjeve, përderisa shfrytëzimi i kapaciteteve ka arritur shkallën 90%. Tutje, si rezultat i planifikimit të mirë investiv, prej fillimit të ndërtimit të objektit prodhues deri te shitja e parë kanë kaluar jo më shumë se 5 muaj. Kohë kjo rekorde do të ishte e pamundur pa një vizion të qartë të të dy palëve, angazhim profesional të mirëfilltë të RECURA-s, dhe aftësive ndërmarrëse dhe mbështetjen e vazhdueshme nga z.Visar Ramajli.

Në literaturën e konsulencës biznesore thuhet se rastet e zgjidhura dhe përvojat e kaluara janë mësuesi më i mirë i konsulentëve. Çdo konsulent e di se klientët e tij janë mësuesitë e tij dhe se ai jeton nga njohuritë e tyre. Në parim konsulenti nuk di më shumë se klienti. Por, ai ka parë më shumë. Konkretisht, në këtë kontekst RECURA ka përfituar një perspektivë tjetër në analizimin e problemeve dhe trajtimin e çështjeve. Njohuritë për sektorin dhe mësimet e mësuara gjatë këshillimit të KIVO-s, përveç që shërbejnë si një referencë e shkëlqyeshme, paraqesin edhe një inspirim domethënës për stafin e RECURA-s, duke paraqitur një ndër shembujt më të prekshëm të këshillimit të ofruar nga RECURA. Filozofia e RECURA-s përgjatë çdo rasti të konsulencës është “të zhvillohemi dhe të rritemi së bashku me klientin” duke krijuar marrëdhënie të qëndrueshme afatgjatë më çdo klient.

Megjithatë, duhet pasur parasysh që konsulentët nuk prezantojnë zgjidhje magjike, ata punojnë dhe mësojnë së bashku me klientin duke përpunuar idetë dhe zhvilluar aktivitetet e tyre. Sipas RECURA-s kontributi kryesor i tyre në rastin e KIVO-s është anashkalimi i investimeve në printimin klasik që ishte rezultat i studimit të fizibilitetit dhe optimizimi i aktiviteteve investuese përmes planit të biznesit.

Lidhur me rëndësinë e konsulencës dhe nivelin e vetëdijes së komuniteti të biznesit për të përfituar nga ky shërbim, z.Visar Ramajli konsideron se kërkesa dhe vetëdija për shërbimet konsulente është e ulët. Arsyeja kryesore për këtë sipas tij është mbyllja e bizneseve në vetvete dhe mostransparenca e tyre. Në anën tjetër një proces konsulence që nënkupton edhe shkëmbimin e informatave konfidenciale në mes konsulentit dhe ndërmarrjes është i pamundur në një atmosferë të mbylljes dhe mostransparencës. E gjitha kjo vetvetiu shkakton mosbesim në mes të palëve gjë që e pamundëson çdo formë të konsulencës. Poashtu, sipas z.Ramajli “mungesa e aftësive të shumicës së ndërmarrësve në Kosovë për të identifikuar specifikisht mungesat që i kanë ata në operacionet biznesore është një tjetër faktor përcaktues për kërkesen e vogël për shërbime konsulente”. Duke konsideruar se nuk ju mungon diçka, atëherë edhe nuk nxiten të kërkojnë këshillëdhënie jashtë ndërmarrjes së tyre. Sidoqoftë, ndërmarrësit e Kosovës duhet të tejkalojnë këtë pengesë bazuar edhe në rastin e KIVO-s, suksesi i të së cilës do të ishte dukshëm më i vështirë nëse nuk do të përfitonte nga shërbimet e konsulencës të ofruara nga RECURA.

Intervenimi nga konsulentët e jashtëm ndonjëherë mund të konsiderohet më të drejtë i kushtueshëm financiarisht dhe kjo paraqet pengesë në krijimin e përvojave të konsulencës me komunitetin e konsulentëve. Konsulenca në thelb është një produkt fizikisht i paprekshëm, efektet e të cilës janë afatgjate dhe ndonjëherë jo lehtë të matshme. Andaj, kjo i bën shumë ndërmarrës skeptik në angazhimin e konsulentëve të jashtëm për të zgjidhur problemet e brendshme të ndërmarrjes. Për këtë qëllim shumë programe të donatorëve (EBRD, EYE, KOSME) janë orientuar të eliminojnë këtë pengesë duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve të këshillëdhënies dhe lehtësuar procesin e konsulencës.

Rritja dhe zhvillimi i ndërmarrjeve në Kosovë (edhe pse në numër shumë të vogël) e bën të domosdoshme involvimin e konsulentëve të jashtëm, pasi që kapacitetet për të adresuar çështjet e rritjes në të shumtën e rasteve nuk gjinden brenda ndërmarrjes. Për më tepër, transformimi i bizneseve nga ato familjare në biznese të mirëfillta ku prona dhe menaxhimi janë të ndara, poashtu ngrit domosdoshmërinë e angazhimit të konsulentëve të specializuar. Rrjedhimisht, rritja dhe zhvillimi i bizneseve në Kosovë do të rezultoj me rritjen e kërkesës për shërbime konsulente.

Pas më se tre vitesh të ofrimit të konsulencës, bashkëpunimi në mes RECURA-s dhe KIVO-s aktualisht bazohet mbi një kontratë afatgjate të këshillimit dhe përkrahjes së rritjes dhe zhvillimit të KIVO-s. Për momentin RECURA është duke e bërë monitorimin e projektit investiv duke analizuar projeksionet investive të bëra dhe realizimet përkatëse. Poashtu, janë duke u hulumtuar edhe tregjet skandinave pasi që synohet të depërtohet edhe atje.

Në përfundim, duhet theksuar se kur bashkohen profesionalizmi këshillëdhënës në projekte investive, përkushtimi dypalësh dhe aftësia ndërmarrëse në identifikimin e mundësive të reja afariste (siç ishte rasti me RECURA – KIVO) atëherë rezultatet nuk mungojnë. Planet e KIVO-s janë trefishimi i eksportit, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe shtimi i numrit të punëtorëve. Madje sipas tyre, një pjesë e shitjeve për vitin 2017 tashmë është kontraktuar. Sot, KIVO paraqet shembullin e jashtëzakonshëm jo vetëm për ndërmarrjet në Kosovë, por shërben si rast i dalluar edhe për tërheqjen e investimeve të jashtme direkte në Kosovë.