March 16, 2017 BCC Kosova

Konsulenca vendore kyçe në transformimin e Korporatës Rugove

Success Story #1 nga Durim Hoxha

Zhvillimi strategjik dhe i qëndrueshëm i ndërmarrjes, është i pamundur pa një vullnet të theksuar dhe një vizion të qartë të ndërmarrësit. Përderisa një pjesë e konsiderueshme e ndërmarrjeve në Kosovë ballafaqohen me çështjet e mbijetesës, një pjesë e vogël e ndërmarrjeve të suksesshme sikur nuk po mund të transformohen në ndërmarrje me qeverisje korporative dhe të shmangen nga tiparet e bizneseve familjare. Mirëpo, sado që ndërmarrësi ka vullnetin dhe vizionin për ndërtimin e një strategjie afatagjatë të zhvillimit, në të shumtën e rasteve, ai nuk posedon dijen por edhe kohën që të ndërtoje një strategji të tillë që përfshin një plan dinamik të specifikuar dhe të lehtë për t’u zbatuar.

Korporata Rugove është storie suksesi i një transformimi domethënës nga një ndërmarrje me tipare të menaxhimit familjar në një korporatë, e cila si qëllim kryesor nuk e ka mbijetësen por rritjen dhe zhvillimin, krijimin e të hyrave për punëtorët e saj, vendeve të reja të punës dhe kontributin në trevat ku operon. Korporata Rugove është themeluar në pjesën e dytë të vitit 2006 në rajonin e Rugovës. Rugove filloi veprimtarinë e vet në formë të partneritetit në mes të kompanisë sllovene Unior DD dhe partnerit lokal. Që nga viti 2009, ndërmarrja RUGOVE kalon në pronësi të partnerëve lokal. Gjatë këtij viti kjo korporatë që njihet si prodhues i ujit ka lëshuar linjën e dytë të prodhimit të djathit Rugove, në fshatin Drelaj të Rugovës dhe që për momentin punëson mbi 120 punëtorë. Idea e prodhimit të djathit Rugove është e lidhur ngusht me zhvillimin e blegtorisë në trevat e Rugovës. Vështirësitë në ndërtimin e një zinxhiri të vlerës ishin të shumta, pasi që pothuajse asnjë hallkë e rëndësishmë nuk ekzistonte. Në fakt shumica e trevave të Rugovës ishin braktisur, ndërsa banorët ishin zhvendosur në Pejë. Rrjedhimisht edhe furnizimi me lëndë të parë ishte pothuajse i pamundur. Megjithate, të gjitha këto nuk dekurajuan ndërmarrësin serik – z.Visar Kelmendi që të ketë guximin për t’u përballur më këto sfida dhe të themelojë ndërmarrjen e rradhës, këtë herë fabrikën për prodhimin e djathit. Por, në këtë rrugëtim z.Kelmendi nuk ishte vetëm. Në të gjitha momentet kritike për zhvillimin e Korporatës Rugove, ishin të angazhuar ndërmarrje të ndryshme konsulente. Natyrisht vendimit për të investuar në fabrikën e djathit i parapriu studimi i fizibilitetit dhe plani i biznesit, të dy këto të hartuara më ndihmën e kompanive konsulente.

Megjithatë, momenti kryesor në zhvillimin e kësaj korporate është padyshim transformimi strategjik i ndërmarrjes, nga një biznes me tipare familjare në një korporatë të mirëfilltë. Menaxhmenti i ndërmarrjes ishte i vetëdijshëm se për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit do të duhej një transformim substancial i ndërmarrjes. Rritja dhe zhvillimi i mëtutjeshëm kërkonin ndërtimin e planit strategjik për ristrukturimin korporativ të ndërmarrjes. Për këtë qëllim dhe duke insistuar në një perspektivë të re, u angazhuan konsulentët e ndërmarrjes Arizona Partners të përkrahur nga programi EYE, që mbuloi një pjesë të shpenzimeve të konsulencës. Kriter kryesor gjatë përzgjedhjes së ndërmarrjes konsulente ka qenë dituria e konsulentëve dhe njohuritë praktike të tyre për përmbushjen e nevojave të Korporatës.

Arizona Partners është ndërmarrje konsulente e themeluar në vitin 2010 në Prishtinë. Shërbimet kryesore konsistojnë në tre fusha të ndërlidhura siç janë: Kontabiliteti, Auditimi dhe Konsulenca menaxheriale, fusha këto të cilat në vete përmbajnë një varg shërbimesh që mund të ofrohen si zgjidhje e tërësishme apo shërbim i veçantë, varësisht nga nevojat e klientit. Filozofia e Arizona Partners është shtimi i vlerës për klientët, punonjësit dhe shoqërinë, duke ofruar shërbime cilësore dhe duke investuar vazhdimisht në ngritje të kapaciteteve, inovacion, përmirësim dhe rritje të qëndrueshme. Vizionin e saj që të depërtojë edhe në tregjet a huaja ajo tashmë e ka realizuar duke ofruar shërbimet e kontabilitetit për ndërmarrje të ndryshme në SHBA.

Në fakt para se të angazhohej Arizona Partners për të ndihmuar në dizajnimin e planit strategjik, ata ishin angazhuar më parë edhe për ndërtimin e sistemit të informacionit lidhur me aspektin financiar të Korporatës Rugove, zhvillimin e modeleve të kostos së produkteve, procedurave të menaxhimit të resurseve humane dhe aspekteve tjera logjistike të ndërmarrjes.

Elaborimet teorike lidhur me procesin e konsulencës njohin pesë faza të ndryshme. Hyrja që është fazë njohëse në mes të ndërmarrjes dhe konsulentit. Ndërmarrja parashtron kërkesat ndërsa konsulenti diskuton zgjidhjet e mundshme. Pastaj, vazhdohet me fazën e diagnostifikimit të problemit dhe identifikimit të pikave problematike të ndërmarrjes. Faza e tretë, është planifikimi i veprimit për adresimin e problemit të diagnostifkuar dhe dakordimin e ndërmarrjes për këto veprime. Faza e zbatimit është faza e katërt e konsulencës, me ç’rast ndryshimet e propozuara fillojnë të shndërrohen në realitet. Krejt në fund vjen faza e përfundimit ku vlerësohet performanca e konsulentit dhe shikohen mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm apo konsulenti tërhiqet. Në fakt rasti i konsulencës në Korporatën Rugove është një rast tipik kur faza e zbatimit shërben edhe për diagnostifikimin më detal të ndërmarrjes. Në fakt gjatë ofrimit të shërbimeve ekipi i konsulentëve të Arizona Partners në bashkëpunim me Korporatën kishin arritur të identifikonin fusha tjera të intervenimit. Si nevojë e ndërmarrjes do të identifikohej plani strategjik. Ky dokument ka mbuluar fusha të ndryshme të operimit të ndërmarrjes duke përfshirë marketingun dhe shitjen, organizimin e brendshëm, qeverisjen korporative etj. Specifikisht janë themeluar të gjitha sistemet dhe procedurat e menaxhimit financiar, ato të resurseve humane si dhe të marketingut. Tashmë korporata Rugove është në gjendje që në kohe reale të analizoj rrjedhën e parasë dhe shitjet ditore. Poashtu është bërë ristrukturimi dhe krijimi i departamenteve dhe niveleve të menaxhmentit që kanë mundësuar menaxhimin më efektiv të ndërmarrjes. Si rezultat i këtij transformimi të Korporatës Rugove ështe arritur që rritja e ndërmarrjes të menaxhohet lehtësisht dhe të hapen shtigje të reja për zhvillim të mëtutjeshëm. Për më tepër pjesë e planit strategjik janë edhe produktet e reja siç është mini ujë Rugove, Premium Rugove, dhe produktet tjera të reja që janë pjesë e planit strategjik dhe që do të futen në treg brenda 2-3 viteve.

Intervenimi i Arizona Partners, sipas tyre ka qenë një punë e përbashkët dhe e bërë në koordinim të plotë me nivelin e lartë menaxherial të koorporatës Rugove. Madje edhe punëtorët të niveleve më të ulta janë hulumtuar në mënyrë që edhe ata të japin perspektivën e tyre lidhur me çështje të caktuar të ndërmarrjes. Gjithëpërfshijra e personelit në ndryshime strukturore siguron qëndrueshmëri dhe stabilitet organizativ dhe përgaditje për ndryshime eventuale në proceset që mund të ndodhin brenda ndërmarrjes. Në anën tjetër z.Kelmendi pohon se raportet e krijuara më ndërmarrjen konsulentë ishin raporte drejt një qëllim të përbashkët. Besimi i konsulentëve në vetvete dhe vullneti i korporates Rugove për reforma ishte faktori kryesor që puna e përbashkët ka rezultuar në sukses, pohon ai. I gjithë ky sukses i arritur më ndihmën e konsulentëve vendor e rrëzoi mitin se në Kosovë nuk ka konsulentë vendor të aftë për detyra të mëdha dhe se vetëm konsulentëve nderkombëtar duhet t’ju besohen intervenimet strategjike.

Përkundër rasteve të suksesshmë siç është ky, megjithatë tregu i konsulencë në Kosovë është në fazat fillestare të zhvillimit. Në të shumtën e rasteve konsulentët e Kosovës janë gjeneralista të cilëve ju mungon dija specifike. Natyrisht kjo lidhet ngusht edhe me kërkesat e ndërmarrjeve që po ashtu janë shumë të përgjithshme. Një faktor me rëndësi që e ka lehtësuar procesin e konsulencës, sipas z.Avdiu nga Arizona Partners ështe edhe përvoja e tij në themelimin e bizneseve. Duke kalur nëpër procesin e ndërmarrësisë, kjo përvoje i ka ofruar një perspektivë tjetër në analizimin e situatave komplekse që lidhen më tregun konkurrues.

Në gjithë botën konsulenca njihet si një shërbim me një kosto relativisht të lartë. Kjo qëndron edhe në rastin e Kosovës. Megjithat sipas z. Kelmendi “konsulenca në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si shpenzim, por është investim madje në shumë raste, i pa evitueshëm”. Sipas tij, “investimet në infrastrukturën e ndërmarrjes patjetër se duhet të pasohen me investimet në konsulencë pasi që kjo ështe e domosdoshme për të rritur efikasitetin e investimeve të bëra“

Tanimë është procedurë formale në Korporatën Rugove që për një investim mbi një vlerë të caktuar t’i drejtohen ndërmarrjeve konsulente duke angazhuar ndërmarrje të ndryshme të konsulencës si Recura, ACA, Arizona Partners, etj. Deri më sot Korporata Rugove ka angazhuar 13 ndërmarrje konsulente vendore të fushave të ndryshme por, me theks të veçantë në hartimin e planeve të biznesit dhe studimeve të fizibilitetit, e po ashtu edhe në marketing, financa dhe kontabilitet dhe në IT. Krejt në fund vlen të theksohet konstatimi i z.Kelmendi që ata asnjëherë nuk do të ndalen në shfrytëzimin e konsulencës që patjetër se do të jetë konsulencë vendore, pasi që nga bashkëpunimet e fundit janë bindur mbi kualitetin e shërbimeve të tyre.